Connect with us

Ballina

Nis puna për hartimin e projektligjit për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme

Published

on

Sot, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, është mbajtur takimi i parë i grupit punues për hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Haxhiu gjatë këtij takimi shprehu falënderimet ndaj anëtarëve të grupit punues, gjegjësisht përfaqësueseve nga shoqëritë civile, institucionet relevante të drejtësisë dhe partnerëve strategjikë ndërkombëtarë për vullnetin që të kontribuojnë në këtë drejtim, drejt forcimit të ligjit dhe drejtësisë në Kosovë.

Haxhiu, duke theksuar nevojën e domosdoshme për hartimin e këtij projektligji, theksoi se tashmë ka vonesa në drejtim të kompletimit të pakos ligjore kundër korrupsionit, me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas ministres së Drejtësisë, ky rregullim nuk ka treguar ose dëshmuar sukses në luftimin e pasurimit të paligjshëm, pasi aktualisht me legjislacionin në fuqi në çdo rast kushtëzohet konfiskimi i pasurisë së përfituar përmes aktivitetit kriminal me zhvillimin e procedurës penale, që ndërlidhet me kryerjen e një vepre penale, gjë që paraqet pengesë juridike që krimi i organizuar të luftohet në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Në fjalimin e saj, ministrja Haxhiu u zotua personalisht që me të gjitha kapacitetet intelektuale dhe mekanizmave të Ministrisë së Drejtësisë do të jetë në përkushtim të plotë për të jetësuar forcimin dhe zbatimin e ligjit, si dhe inkurajoi anëtarët e Grupit Punues për angazhim të pakursyer, në mënyrë që bashkërisht të konsiderojmë se korniza ligjore duhet të jetë në shërbim të interesit të përgjithshëm shoqëror, me qëllim të mbrojtjes së vlerave shoqërore, si dhe garantimin e sigurisë dhe rendit publik për shoqërinë dhe inPidin si një tërësi komplementare”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Tutje në takim është bërë prezantimi i planit të punës nga Isuf Jahmurataj – kryesues i Grupit Punues, i cili pritet të përfundohet brenda vitit.

Në anën tjetër, të pranishmit në takim, përfaqësues nga institucionet dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare, fillimisht u deklaruan për nevojën e bashkëpunimit dhe konsultimit për disa çështje kryesore si: organin kompetent për konfiskim, fushëveprimin e ligjit e të tjerë, si dhe shprehën vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe kontribuar në këtë proces të rëndësishëm reformues në sistemin e drejtësisë.

Në fund të takimit anëtarët e grupit punues u dakorduan rreth planit të punës dhe formatin mbi bazën e të cilit do të hartohet ky projektligj. 

Continue Reading
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com