Connect with us

Ballina

“Non paperat”/ Jusuf Buxhovi tregon çka po synon Serbia, kjo është sfida dhe telashi më i madh për Albin Kurtin

Published

on

Shkrimtari dhe historiani i njohur, Jusuf Buxhovi , në një intervistë dhënë për media në Shqipëri, ndër tjerash ka folur lidhur me publikimin e ‘non paperëve’ të ndryshëm, të cilët parashikojnë marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Publikimet e fundit “për ndryshim kufijsh” në Ballkan dhe të ngjashme, nuk paraqesin risi. Këto muhabete njihen nga fillimvitet e nëntëdhjeta, pikërisht atëherë kur Kosova me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990 u shkëput nga pushtimi serb dhe me vendimet e Kuvendin e Kaçanikut të 7 shtatorit 1990 u shpall republikë e pavarur në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave me të drejtën e vetëvendosjes. Pas zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992, kur Kosova përmbylli legjitimitetin demokratik si shtet, Beogradi, nëpërmes Akademisë së Shkencave Serbe hodhi në opinion opsionin e “pajtimit” me shqiptarët me anën e ndonjë marrëveshjeje “historike”, ku parashiheshin edhe shkëmbimet e territoreve, gjithnjë sipas kutit serb, që për qëllim kishte që territoret e pushtuara me luftë në Kroaci dhe Bosnje, t’i fuste në rabushin e planeve të saj hegjemoniste të Serbisë së Madhe, për ç’gjë, për ta marrë miratimin e fuqive të mëdha, veçmas SHBA-ve, kërkoheshin marrëveshje, sa për sy e faqe, me shqiptarët për “Shqipërinë e Madhe”! Natyrisht, këto dhe oferta të ngjashme nuk u pranuan nga presidenti Rugova, po as nga perëndimi, meqë me anën e tyre kërkohej që hegjemonizmi serb të shpërblehej, ndërsa çështja e Kosovës dhe kauza e saj që ishte vu në binarët e shtetndërtimit të kthehej në një si kusuritje”, ka thënë Buxhovi, përcjellë “Bota sot”.

Ai ka treguar qëllimet e Serbisë me rikthimin e lojërave për ndryshim kufijsh.

“Rikthimi i këtyre ofertave (dy-tri viteve të fundit), shfaqet si lojë serbe me të cilën synohet arritja e dy qëllimeve. Së pari, që shteti i Kosovës, si projekt perëndimor (kryesisht amerikan), edhe “nga brenda” të shpallet i përkohshëm, pra që t’i merret legjitimiteti ndërkombëtar si shtet i pavarur i njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës në vitin 2010. Dhe së dyti, që të “rikthehet” si fuqi rajonale, në një sy nyjë, ku kryqëzohen po edhe “pajtohen” interesat gjeostrategjike midis perëndimit dhe lindjes, pra SHBA-ve NATO-s në njërën anë dhe Rusisë me aleatët e saj në tjetrën anë ku Serbia shfaqet baraspeshë e superfuqive. Meqë është kështu, atëherë qeveria e Kosovës, nuk duhet ta hajë këtë karrem, pra që shtetin e pranuar ndërkombëtarisht ta hedhë në pazare. Dhe po ashtu, shteti shqiptar, duhet të heq dorë nga të gjitha nismat që u vërejtën në trekëndëshin Beograd-Tiranë-Prishtinë midis Vuçiçit, Ramës dhe Thaçit, të cilat, morën fund më ndërhyrjen amerikane në gusht të vitit të kaluar me ndalimin e fluturimit të Thaçit për në Uashington”, ka deklaruar Jusfu Buxhovi.

Më tej, Buxhovi ka treguar se cila është sfida më e rënë për Albin Kurtin.

“Rifillimi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, do të jetë një sfidë e rëndë për Kurtin dhe qeverinë e tij, nga shkaku se ai dialog prej vitesh është konfiguruar gabimisht, pra nuk është mbështetur mbi pakon e Ahtisarit e as kushtetutën e Kosovës, ku fokusimi duhej të kalonte te problemet e serbëve të Kosovës dhe krijimi i rrethanave për integrimin e tyre institucional, shoqëror dhe politik në Kosovë, por që me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, e gjithë çështja u bart te përfshirja politike e Beogradit në këtë çështje që ajo ta kthejë ndikimin politik në Kosovë (gjë që ndodhi me krijimin e Listës serbe nga ana e Serbisë si marionete e saj dhe eliminimi i serbëve vendorë nga jeta institucionale dhe përfaqësimi parlamentar)”, është shprehur Buxhovi.

Sipas tij, kryeministri Kurti duhet të jetë fleksibil te çështjet bilaterale me Beogradin.

“Kjo trashëgimi antikushtetuese dhe antishtetërore, do t’i qesë telashe të madhe Kurtit, ngaqë prej vitesh, dialogu ka pasë përformancat e implikimit politik të Beogradit në Kosovës në vend të zgjidhjes së problemeve të minoritetit serb në Kosovë në përputhje me kushtetutën që edhe ashtu i favorizon. Ndryshimi i këtij diskursi, pra i kthimit kah çështja e problemet e minoritetit serb në Kosovë dhe krijimi i kushteve për integrim të tyre në jetën institucionale të vendit, mund të kuptohet si “kundërshtim i bisedimeve” e të ngjashme nga ana e Beogradit po edhe Brukselit i mësuar me kompromise të dëmshme për Kosovën. Kurti, pra, duhet të jetë fleksibil te çështjet bilaterale me Beogradin, që edhe mund të mos përfundojnë me njohje reciproke siç po thuhet, por assesi të pranojë që të preken shtyllat kryesore të shtetit të Kosovës: sovraniteti, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm”, ka thënë historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, përcjellë “Bota sot”.

Continue Reading
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com