Connect with us

Ballina

Sulmet e opozitës ndaj Kurtit, analistët tregojnë se çfarë fshihet pas tyre

Published

on

Ditë më parë është miratuar Plani i Qeverisë për katër vitet e ardhshme.

Të hënën Qeveria ka shpalosur planin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët kanë pasur mundësinë për të komentuar programin e Qeverisë Kurti 2 për të cilin kanë pasur kritika të shumta nga opozita.

Partia opozitare LDK, për planin qeverisës ka thënë se është një dokument sipërfaqësor, pa masa dhe pa zgjidhje se si do të adresohen problemet.

“…Një ndër dokumentet më sipërfaqësore, që nuk përmban masa e as kohë….Nuk thotë asgjë se çfarë problemesh ka e si do të adresohen. Çfarë do të bëhet e si do të duket vendi pas katër vjetësh”, është shprehur deputeti i LDK-së, njëherësh kryetar i partisë. Lumir Abdixhiku.

Nga AAK, kryetari Ramush Haradinaj, ka thënë se ky program nuk ka të bëjë fare me plan qeverisës.

“Ky program është kryesisht ideor dhe se nuk i përngjan një plani qeverisës, për fat të keq ka mungesa të mëdha në këtë drejtim, dhe u kisha dhënë një këshillë që të hartohet një plan implementues”, ka thënë ai.

Edhe nga PDK kanë thënë se premtimet e Qeverisë Kurti në aspektin ekonomik janë më shumë se ambicioze. “Programi është i shkruar në mënyrë dëshirore”, ka thënë Bedri Hamza.

Qarri: Opozita e inkriminuar nga kontrolli dhe nuk po di më as vet se si të veprojë

Lidhur me këtë, analisti politik, Gani Qarri, për “Bota sot” ka thënë se dështimi për ndarje të Kosovës dhe krijimin e asociacionit një etnik serb, ka nxjerrë tërësisht një opozitë e cila nuk po di si të veprojë.

Image

Gani Qarri


“Duke qenë se plani i Thaçit për ndarjen e Kosovës dhe krijimin e asociacionit një etnik serb, është hedhur poshtë, si nga presidentja Vjosa Osmani, ashtu edhe kryeministri Kurti, ndërsa dialogu me Serbinë, jo vetëm që nuk është pjesë e prioriteteve të Qeverisë së re, por madje z.Kurti ka paralajmëruar edhe vendosjen e reciprocitetit ndaj këtij shteti okupator e agresiv si Serbia e Aleksandër Vuçiqit, kjo e ka nxjerrë tërësisht opozitën e inkriminuar nga kontrolli dhe nuk po di më as vet se si të veprojë. Kështu që ish pushtetarët e deridjeshëm të degjeneruar dhe kriminalizuar deri në fund, të cilët për më se dy dekada me radhë e shkatërruan ekonominë, shëndetësinë, shkollimin dhe çdo perspektivë tjetër, për qytetarët e këtij vendi, me zhvatje, hajni dhe përvetësime arbitrare, të alarmuar nga fillimi i mbarë dhe me sukses i ballafaqimit të institucioneve të reja të shtetit me problemet e shumta të vendit, pasi varfëruan skajshmërish Kosovën dhe izoluan atë nga e gjithë bota e përparuar, tani nuk zgjedhin mjet as mënyrë, për ta kritikuar vend e pa vend Qeverinë e re, të sapoardhur në pushtet, sikur ajo tu kishte faj për humbjen e posteve e të pushtetit dhe largimin e tyre nga sundimi arbitrar mbi dy-dekadash i vendit”, shprehet Qarri.

Sipas tij, opozita e dështuar ka humbur tërësisht kontrollin dhe bën sikur kundërshton gati gjithmonë e për çdo gjë edhe pa asnjë shkak as arsye.

“Madje siç jemi mësuar tanimë t’i shohim çdo ditë në mediat e sponsorizuara nga ato vet, pas dështimit të plotë, të qeverisjeve të tyre të korruptuara, të cilat me gjithë ndërrimet gati të parvjetshme, jo vetëm që nuk i sollën asgjë të mirë Kosovës, por e mbytën çdo perspektivë të saj, tanimë opozita e dështuar, ka humbur tërësisht kontrollin dhe bënë sikur kundërshton gati gjithmonë e për çdo gjë edhe pa asnjë shkak as arsye. Në këtë mënyrë, ajo vetëm sa është duke e rritur gjithnjë e më tepër irritimin e popullsisë kundër saj, gjë që në zgjedhjet lokale të cilat po afrohen dhe deri në vjeshtën e këtij viti pritet të mbahen, mund ti kushtojë shumë shtrenjtë e ndoshta edhe më shtrenjtë se sa në zgjedhjet qendrore”, thotë Qarri.

Ai kritikat ndaj planit qeverisës të Kurtit i quan të orkestruara dhe me plan paraprak atakues dhe pothuajse njëzëri e me të njëjtat fjalë e shprehje të ashpra e konfuze nga opozita.

“Për aq më tepër përderisa këto ditë Kryeministri Albin Kurti prezantoi planin qeverisës, ai mori kritika të shumta dhe në mënyrë të orkestruar me plan paraprak atakues dhe pothuajse njëzëri e me të njëjtat fjalë e shprehje të ashpra e konfuze nga opozita, sikur të gjitha partitë e dështuara, t’i ketë unifikuar humbja klasike dhe ti takonin të njëjtit segment të deklasuar politik. Fakti është se në momentet e ndjeshme dhe të rënda nëpër të cilat aktualisht po kalon vendi dhe qytetarët e Kosovës, asnjë qeveri nuk mund të ofronte plan më konkret e konstruktiv se sa ky që prezantoi para deputetëve Albin Kurti, duke filluar si pikë e parë, me luftën kundër korrupsionit dhe punësimin, që është një nga kushtet thelbësore të BE-së për liberalizim të vizave dhe ndalimin e migrimit të të rinjve tanë, në vendet e zhvilluara, për ecjen në rrugëtimin drejt integrimit evropian”, potencon Qarri.

Ai shprehet se opozitës i “dhemb” fort edhe fakti se plani i Thaçit për ndarjen e Kosovës dhe krijimin e asociacionit një etnik serb, është hedhur poshtë nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti.

“Pastaj vaksinimi brenda një viti i së paku 60 për qind të popullsisë kundër virusit COVID-19, gjë që do të ishte vërtetë sukses shembullor nëse mund të arrihet brenda viti, deri në këtë shkallë, për të pasuar me rritjen e prodhimit dhe eksportit si dhe fuqizimi i ndërmarrjeve publike, të cilat do duhej të ishin prioritete për secilën parti që pretendon pushtetin me votën e lirë të qytetarëve dhe jo vetëm plan qeverisës i Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që bashkë me Vjosa Osmanin i fituan zgjedhjet e 14 shkurtit, me shumicën dërmuese. Për më tepër dhe mbi të gjitha, opozitës i dhemb fort edhe fakti se plani i Thaçit për ndarjen e Kosovës dhe krijimin e asociacionit një etnik serb, është hedhur poshtë nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti”, ka thënë tutje Qarri.

Qarri thotë se kritikat e pabazuara të opozitës ndaj Kurtit, janë thjeshtë vetëm sa për të bërë « shumë zhurmë për asgjë ».

“Kështu që kritikat e pabazuara të opozitës ndaj Kurtit, janë thjeshtë vetëm sa për të bërë « shumë zhurmë për asgjë », nga opozita e dështuar, që ndodhë për dy shkaqe themelore; së pari për shkak të fajësisë që partitë opozitare mbajnë, për korrupsion e krim të organizuar mbi 20 vjeçar, si dhe izolimin total të vendit, ndërsa “arsyeja” e dytë e gjithë kësaj zhurme opozitare, vjen për shkak të mungesës së një alternative më të mirë, të cilën opozita nuk e ka, që t`ia ofrojnë popullit të Kosovës, për të dalë nga kurthi në të cilin, për dy dekada e ka mbërthyer vetveten. Madje, pas shkatërrimit mbi 20 vjeçar që opozita i bëri vendit, duke e vjedhur, zhvatur e varfëruar dhe mbyllur si në kafaz qytetarët e Kosovës, si asnjë popull tjetër në rajon, pa liberalizim vizash dhe pa të drejtë për lëvizje të lirë, duke i detyruar të rinjtë që edhe mbi 21 vite pas lufte, të ikin nga Kosova, për shkak të pamundësisë për të siguruar jetesën e thjeshtë në shtetin e kapur nga po këto parti dhe udhëheqësit e tyre të kriminalizuar, tanimë i ka humbur plotësisht rruga në oborr dhe nuk di as vet se si duhet vepruar, e për aq më tepër, nuk po arrin ti kontrollojë as aktet e veta , fare të pa sens dhe tërësisht fëmijërore”, përfundon Gani Qarri.

Mehazi: Opozita duke kritikuar planin e qeverisë së Kurtit vajtojnë dështimet e tyre të mëparshme qeverisëse njëzetvjeçare

Edhe profesori Sulejman Mehazi, për “Bota sot” shprehet se asnjëherë më parë qeveritë e Kosovës nuk kanë qenë të koordinuara e të lidhura me qytetarët sikur kjo e Kurtit.

Image

Sulejman Mehazi


“Asnjëherë qeveritë e mëparshme njëzetvjeçare nuk kanë qenë më të koordinuara e më afër qytetarëve sesa qeveria e tanishme e Kurtit, kurrë më parë nuk kanë qenë të lidhura e të afërta institucionet më të larta të Kosovës presidenca, qeveria, kryetari i parlamenti e qytetarët tog sikurse me Kurtin, Vjosën e Konjufcën në krye të Kosovës”, thotë Mehazi.

Sipas tij, asnjëra prej qeverive të kaluara nuk i ka dhënë prioritet punësimit dhe drejtësisë, elemente kyçe shtetërore që e zhvillojnë dhe forcojnë Republikën e Kosovës në nivelin e shteteve evropiane.

“Pikërisht dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në këtë frymë besueshmërie e bashkëpunimi prezantoi planin qeverisës katërvjeçar. Asnjëra prej qeverive të mëparshme nuk i jepnin prioritet thelbësor PUNËSIMI e DREJTËSISE, pikërisht këto dy elemente kyçe shtetërore e zhvillojnë dhe forcojnë Republikën e Kosovës në nivelin e shteteve evropiane. Në prezantimin e planit qeverisës së Kurtit vlen të theksohet ftesa e bashkëpunimit të qeverisë me partitë opozitare në lidhje me dialogun me Serbinë të cilët gjatë qeverisjes së tyre ngarkuan Kosovën me marrëveshje asociacionesh serbe, me fusnotën e Kosovës, me Çakorrin, me marrëveshje për gjykatën e universitetin paralel serb në Mitrovicën e Veriut, për statutin e diskurset për shkëmbime territoresh në dëm të Kosovës”, shprehet tutje ai.

Ai në fund thotë se, partitë opozitare duke kritikuar planin e qeverisë së Kurtit vajtojnë dështimet e tyre të mëparshme qeverisëse njëzetvjeçare.

“Të gjitha këto lëshime të papërballueshme e argumentuese të shprehura të Kurtit ndaj tyre, kanë detyruar partitë opozitare të reagojnë e kritikojnë ashpër planin katërvjeçar të qeverisë se Kurtit. Fajet e tyre të mëparshme qeverisëse t’i arsyetojnë duke kritikuar planin qeverisës së Albin Kurtit. Shkurt e qartë, partitë opozitare duke kritikuar planin e qeverisë së Kurtit vajtojnë dështimet e tyre të mëparshme qeverisëse njëzetvjeçare”, ka deklaruar Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Continue Reading
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com