November 22, 2020 By shqiplajme.ch Off

Zotimi i plakut: Do jetoj për të rrëfyer masakrën në Studime

Idriz Popova, është dëshmitari i njërës prej masakrave më të rënda të luftës së fundit në Kosovë, asaj të Studimës ku u vranë 116 persona.

Në reportazhin e KALLXO.com, Popova ka rrëfyer tmerrin e datës 2 maj 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë.

“Më 2 maj të 1999, u kanë ditë e diele, ka ora 4 ka nisë fshati me dal në kolonë të Studimes.

Masakra e Studimes është bërë diku prej orës 8 deri në 9 apo 9 e gjysmë.

Janë vra 92 persona. Pastaj janë vra edhe 6 persona te hamari.

Janë vra 8 vajza të reja, të mitura përnjëherë. Pastaj janë vra edhe familja Selatini me 13 anëtarë”, rrëfen Popova.

“Janë bërë 21 vjet të kësaj masakre, hala s’ka përgjegjësi për këta njerëz”, thotë Popova duke mos u ndjerë rehat me këtë fakt.

Popova, ndonëse në moshë thotë se është në gjendje të rrëfej për secilën viktimë se ku është vrarë.

“Jam në gjendje hala edhe pse kanë shku 21 vjet, jam në gjendje me shku në çdo vend me kallxu se ku ka qenë xhenazja, se ku ka qenë personi i vrarë.

Këta persona nuk janë prerë.

Këta persona janë vra prej arme, krejt plumbat kanë qenë shok e lartë. Veç fytyrë e gjoks. Kanë vra ku kanë gjetë njerëz.

Deri kanë dalë të Rashicët”, rrëfen Popova.Popova thotë se vrarësit kanë tentuar të kthehen për t’i marrë kufomat, mirëpo ka qenë e pamundur për shkak se pastaj në vend të ngjarjes kanë ardhë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Kanë tentu me u kthy me i marrë xhenazet, por falë shokëve, falë UÇK-së nuk kanë mund t’i marrin. Edhe krejt i kemi varrosë të hënën, të martë dhe të mërkurën. Deri i kam rahatu ata njerëz, as s’kam hangër as s’kam pi”, rrëfehet plaku nga Vushtrri.

Popova thotë se pak kanë bërë si shoqëri e institucione për ato viktima.

Thotë se borxhi ndaj tyre nuk është kryer dhe se duhet zbardhë kjo ngjarje.“Pak kemi ba për këtë punë. U kemi shumë borxh këtyre njerëzve.

Gjynah me shku 100 njerëz, e mos me shku një person, 1 orë në përgjegjësi.

Me ditë që më marrin me robë e me fëmijë, se atë çka e kom pa, ka me dëshmu deri sa ta kam frymën.

S’ma ninë për kurrgja”, zotohet Popova.